Wednesday, February 6, 2008

PROFECIA E ARISTIDH KOLES

Profecia e Aristidh Kolës
dhe zbulimet në Prespë

Nga Albert HITOALIAJ



Prespa përsëri ka tërhequr vëmendjen e arkeologjisë
botërore. E themi këtë, sepse nuk është hera e parë që nga kjo zonë me një natyrë të magjepsëse dhe biodiversitet mahnitës, të vijnë lajme për zbulime të rëndësishme arkeologjike. Banorët e saj më besnikë dhe më të rrallë, pelikanët dalmatë ose pelikanët me xhufkë (kjo specie unike dhe nën ruajtje), nuk mund të tregojnë asgjë për këtë vend, i cili duket se ka filluar të nxjerrë në dritë të vërteta të harruara. Para dy vjetësh, saktësisht në 2 tetor të vitit 2006, një reportazh i Radio Televizionit të Maqedonisë (publikuar edhe në faqen zyrtare të tij) niste me një titull sa të thjeshtë aq edhe intrigues: "Venecia e harruar maqedonase, shfaq objekte prehistorike". Bëhej fjalë për qendrën kulturore në Resen dhe disa varka që kishin një moshë rreth 4000 vjeçare. Këto varka ishin përdorur nga banorët prehistorikë të Prespës. Të ndërtuara nga një trung i vetëm, ato janë punuar me një lloj peme karakteristike për zonën e Prespës, që rritet më së shumti në ishullin Golem Grad. Nakoleci është fshati i cili i ka dhënë titullin reportazhit, Venecia maqedonase dhe është vendi ku janë gjetur varkat . Krahas vërshimit të liqenit në vitin 1960, i cili i detyroi për disa kohë banorët që të lëviznin në rrugët e dikurshme me varka, janë edhe disa shtëpi shekullore të ndërtuara mbi trungje pemësh, ato që bëjnë lidhjen e emrit me Venecian. Për të mos u zgjatur më shumë, janë dy citime të cilat vlejnë për t'u përmendur.
Dimitar Mucevski, një arkeolog nga Resen do të thotë në lidhje me këto varka të lashta druri se, "Në 28 vitet e profesionit tim, nuk kam dëgjuar për këto lloj varkash. Di që arkeologë të huaj kanë zbuluar varka të tilla të drunjta në varret e faraonëve, por askush nuk më ka vënë në dijeni për thesare të tillë që ndodhen këtu në Maqedoni. Janë varka të bëra nga një trung i vetëm peme." Ai i quan thesarë këto varka të Epokës së Gurit, por është ndoshta me pikëpyetje mirëmbajtja apo ruajtja e çdo objekti arkeologjik të gjetur në Maqedoni, pasi sipas një paraqitjeje të arkeologut tjetër, Viktor Lilcik, ka rreth 10 000 zona arkeologjike në Maqedoni, por janë të ruajtura vetëm rreth 150 prej tyre. E ndoshta kjo tregon se përse ky zbulim prehistorik nuk është i shënuar në asnjë vend. Ky ishte edhe shqetësimi mbi të cilin ishte ndërtuar ai i reportazh i vjeshtës së vitit 2006.
Zbulimi i fundit i Prespës, i asaj pjese që ndodhet brenda kufirit të Republikës së Shqipërisë, është po aq intrigues, e akoma më shumë, sesa zbulimi i varkave në Maqedoni. Prespa po rezulton habitëse pasi vendbanimi i Prespës është më i madhi në Evropë, që vjen nga kjo periudhë e prehistorisë. Këtë gjë, sipas shtypit, e dëshmon edhe profesor doktor Petrika Lera, i cili drejton edhe punimet në këtë zonë. Një notë më të lartë sigurie jep edhe habia e arkeologëve francezë, të cilët janë të pranishëm në këto punime.


Megjithatë, fakti se i përket mijëvjeçarit të 5 para erës sonë, është një "llampë" e cila ndizet dhe të kujton studimin e studiuesit arbëror të palodhur, Aristidh Kolës. Jo më kot ai e përmend këtë zonë si vendbanim të rëndësishëm dardan. Tashmë arkeologjia duke se po vërteton të njëjtat përfundime që një studiues i palodhur i çështjes shqiptare, si ai, kishte nxjerrë prej kohësh.
"...Profesori dhe akademiku M.Saqellariu e vendos stanin (lexo: vendbanimin) e Dardanëve brenda kufijve etnikë të shtetit të sotëm grek, ("Historia e kombit grek", vëll.I, faqe 368), por unë mendoj se zona përreth dy Prespave dhe liqenit të Ohrit duhet të ketë qenë qendra e parë e vendosjes së Dardanëve dhe jo më në jug."-thotë Aristidhi në studimin e tij. Megjithatë ai nuk e lë deri këtu dhe nuk mjaftohet me kaq, por jep një "skicë" më të detajuar të kësaj çështjeje, si më poshtë:
"Pas një katastrofe natyrore, siç shënojnë burime të lashta, shumë Arkadë dhe mjaft Dardanë, të cilët banonin në zonat përreth liqeneve të Prespës dhe Ohrit, u detyruan të shpërnguleshin drejt Jugut, madje nga frika e një përsëritjeje të saj u shtynë edhe më poshtë, drejt qendrës së Peloponezit. Të ardhurit e rinj i dhanë zonës atje emrin Arkadia. Një tjetër rrymë të shpërngulurish u drejtua për nga lindja. Përshkuan krahinën e Samotrakës dhe së andejmi u gjendën në Azinë e Vogël. Kur ndodhi kjo katastrofë? Askush nuk mund ta përcaktojë me siguri. Por siç dihet, të dy Prespat dhe liqeni i Ohrit lidhen nën tokë me njëri-tjetrin. Kjo është pikërisht shenja e dukshme e kësaj katastrofe. Ndoshta gjeologjia mund të na e shpjegojë disi më mirë se kur ka ndodhur kjo. Sipas mitologjisë greke, Arkadët konsiderohen si fisi më i lashtë i pellazgëve. Po të kemi parasysh faktin se Troja e lashtë ka lulëzuar së paku 3000 vite para Erës së Re dhe se emërtori i saj ka qenë nipi i mitikut, Dardanit, atëherë mundemi të kemi një ide për kohën për të cilën flasim. Kjo do të thotë se Dardanët kanë mbërritur në Azinë e Vogël të paktën disa shekuj para këtyre 3000 viteve, ndërsa katastrofa në vendin e tyre duhet të ketë ndodhur gjithashtu shumë kohë më përpara. Siç theksuam, stacioni i parë i tyre ka qenë Samotraka. Do të kalonin shekuj që ata të shtyheshin më në jug. Të gjitha këto natyrisht nuk e ndriçojnë krejtësisht problemin, por vendosin një përfytyrim kohor të përafërt.
Në zonën e banuar nga Dardanët dhe Arktanët ose Arkadët ishte krijuar atëkohë qytetërimi pellazgjik ballkanik, falë kushteve të veçanta klimaterike dhe pasurive nëntokësore. Mijëra vite më parë, siç dihet, u zhvillua kultura Minoike, egjiptiane dhe shkrimi sumerik, por duhet ditur se Dardanët kishin pasur po atë kohë jo vetëm shkrimin e tyre, por shkrimin linear.
Këto të dhëna nuk janë rezultat i fantazisë sime. I kanë zbuluar arkeologët evropianë në zonën poshtë Beogradit, ndërsa grekët i zbuluan në vitin 1994 në liqenin e Kastorias, ku bashkë me një vendbanim liqenor arkeologu Hurmuziadhis solli në dritë një mbishkrim, i cili datohet rreth 5250 vjet para Erës së Re me shkronja të veçanta.
E zbuluan, por të ndodhur në qorrsokakun e fantazisë shkencore indoevropiane, nuk e kuptuan se çfarë zbuluan. Kështu, atë qytetërim, i shtrirë nga jugu i Beogradit dhe që mbaron në Halkidhiqi, e emërtuan... "qytetërim të Vincës", sepse në fshatin Vinca, në jug të Beogradit, u gjetën për herë të parë të dhënat për atë qytetërim.
Veç fakte e gjetje për atë qytetërim - dhe këtë e dinë shkëlqyeshëm arkeologët - ka në të gjithë Epirin. Kanë qenë të njohura këto edhe në Shqipëri, së paku nga shekulli i kaluar, (shek. XIX - M.Q.), por askush nuk mund t'i zbërthente. Një i ditur i asaj kohe ia tregoi disa nga mbishkrimet historianit dhe filologut gjerman Georg von Hahn, i cili, kur botoi veprën e tretë të "Albanesische Studien", në vitin 1854, në qytetin Jena, shënoi se kishte zbuluar shkrimin pellazgjik. Por e gjithë teza e tij u kundërshtua sepse me mbishkrimet e gjetura nuk mund të ndërtohej alfabeti i plotë i asaj gjuhe. E vërteta ishte se, megjithë të dhënat e pakta, Hahn arriti përfundime të shkëlqyera, madje sendërtoi një alfabet, të cilin e emërtoi "shqiptar" dhe e identifikoi me pellazgjishten.
Arkeologët kanë sjellë tanimë në dritë afërsisht 200 simbole lineare, të cilat mund të jenë gërma, përfshirë patjetër edhe numra. Këto simbole u emërtuan nga Harald Haarmann "fillimi i shkrimit linear", nga Winn "pararruga e shkrimit horizontal" dhe nga Masson (1984) si "parastadi i shkrimit linear". Interesante është se disa simbole lineare të alfabetit të Hahn, janë të njëjta me ato që zbuluan arkeologët në Vinca. Kështu i ka publikuar të paktën H.Haarmann në veprën e tij "Universalgeschichte Der Schrift". Mbishkrimin e Kastorias nuk e kam të njohur nga ndonjë punim shkencor të derisotëm.
Në mitologjinë greke, e cila për mua nuk është përrallë, por një histori e kodifikuar, i mbiquajturi udhëheqësi i popullsisë dardane, Dardani, nuk mund të jetë një personazh i rastësishëm, por bir i Dia-s (Zeusit), dhe i Elektras, ose Elektrionit, vëlla i Harmonisë, gruas së Kadmit dhe të Jassionas, emra këta që lidhen me kultivimin e grurit, adhurimin e drithërave e të mistereve. Dardani, përsëri sipas mitologjisë greke, është i pari evropian që kaloi në kontinentin aziatik, e banoi dhe e shumoi atë vend, e bëhet udhëheqës dhe ndërtues i shumë qyteteve, popujve dhe etnive. Bash për këtë është quajtur edhe "Poliarkis". Nipi i tij, Troa, do të bëhet emërvënës i qytetit të famshëm të Trojës dhe deri në epokën e Homerit mbretërit e këtij qyteti-mit do të quheshin edhe Dardanë. Sikundër kam përmendur edhe në librin tim "Arvanitët dhe origjina e grekëve", botim i vitit 1983, trojanët ishin edhe ata një fis pellazgjik dhe aspak të huaj ndaj Akejve të Heladës, sikundër e përshkruan këtë fakt vetë Homeri dhe sikundër e vërtetojnë gërmimet arkeologjike. Kisha emërtuar Luftën e Trojës "të parën luftë civile ndërpellazgjike". Ishte më shumë një luftë midis pellazgëve veriorë dhe jugorë, pavarësisht se përplasja ndodhi në Azinë e Vogël. Në atë luftë Akejt sunduan Trojën, por ishin jo aq fitues. Pas shkatërrimit të qytetit vazhdoi invadimi i atij vendi nga fise pellazgjike nga veriu dhe kështu nisi shpërbërja dhe pastaj shuarja e regjimit akean.
Gjurmët e dardanëve mund të hasen sot që nga Ballkani deri në Indi dhe disa dijeni për këtë të vërtetë historike duhet të kishte edhe Aleksandri i Madh i Maqedonisë, por të dhëna me peshë prej tij nuk jepen. Në kulmin e lulëzimit të Maqedonisë dardanët kishin rënë disi në përparimin e tyre. Por duke pasur parasysh lavdinë e dikurshme stërgjyshore, jo vetëm nuk e përkrahën Aleksandrin e Madh në fushatat e tij, por ndjenin për maqedonasit në përgjithësi një ndjenjë antipatie. Në asnjë rast nuk mund të prisnim nga Aleksandri që ai të pohonte se kishte ndjekur rrugët e stërlashta të tyre drejt Azisë, madje se i njihte mirë ekspeditat e Heraklinjve dhe Dionisëve drejt atyre vendeve. Unë, veçse, pas atyre ekspeditave mitologjike të Herakliut dhe Dionisit shoh vetëm Dardanët dhe Karetë. Në librin tim "Zeusi pellazgjik dhe mashtrimi indoevropian", që pres të botohet së shpejti nga shtëpia botuese "Thamiris", kam theksuar se banorët e vendit që më pas do të quhej Ballkan, kanë qenë djepi i qytetërimit botëror.
Shkaku që i bëri Dardanët të shquhen aq tepër me rolin e tyre në Ballkan, por edhe pothuajse në të gjithë Azinë, ishte jo vetëm kultivimi i grurit, por kryesisht përvetësimi prej tyre i teknikës së nxjerrjes e shkrirjes së metaleve, e cila u jepte mundësinë të prodhonin mjete mbrojtëse e sulmuese dhe të pushtonin ekonomikisht kështu lehtësisht Lindjen. Ky ndoshta do të ishte cepi i fillit të Arjanës, që do të shënonte nisjen e krijimit të dhjetëra e dhjetëra gjuhëve të gjalla edhe sot, apo të vdekura, të cilat do të fliteshin nga India e do përfundonin në Evropë. Për fat të keq, shkencëtarët evropianë, duke studiuar këto fakte, janë të detyruar të devijojnë nga e vërteta historike për shkak të tezës fantaziste të indoevropanizmit. Kjo tezë, duke lëvizur nga qorrsokaku në qorrsokak, krijon gjithmonë sensacione impresionante. Megjithatë, indoevropianizmi nuk mund të bindë edhe ata që kanë mendimin tjetër për këtë çështje..."-shkruan ndër të tjera Kola.

Ky studim ka qenë pjesë e punimit të Aristidh Kolës me titull "Ç'janë kosovarët për grekët". Ai bëri një punë të palodhur për çështjen shqiptare, pikërisht në ditët kur në Greqi, ashtu siç shprehet edhe ai vetë "..ato kohë të flisje kundër serbëve, të konsideronin këtu të paktën...tradhtar të kombit!". Duket se zbulimet e fundit, por edhe të tjera që priten të bëhen do t`i japin të drejtë këtij gjigandi të historisë së Ballkanit dhe jo vetëm. Duket se Apostulli i shqiptarizmës me veprën e tij të madhe që la, nuk paska folur me gjuhën e pasionit kombëtar, siç e akuzonin kundërshtarët mjeranë jo të paktë të tij, por me logjikën e ftohtë të shkencëtarit e të njeriut erudit. Në Ballkan jemi, e edhe Aristidh Kola nuk mund të përbënte përjashtim. Si të gjithë bashkëgadishullorët e tij të mëdhenj, edhe atij i është ruajtur vlerësimi e vendi për më vonë, shumë kohë pas vdekjes. Ndoshta për të do të flasin vetë "gurët" e këtij gadishulli, ndoshta vetëm ata do t`i japin të drejtë atij. Sepse shqiptari Aristidh Kola ishte një gur i rëndë i këtij gadishulli, një gur i çmuar që nuk e lanë të jetojë gjatë. Por lind pyetja: Ku do të fshihen guralecët, pseudohistorianët që arnuan e mballosën historira të pafundme me veladonë, raso, e kamillafë, në shërbim të doktrinave që janë të destinuara të vdesin e i kanë ditët e numuruara? Siç e ka vërtetuar Historia, në…vrimën e miut!...

Gazeta NDRYSHE, Tirane, e Marte, 22 Janar 2008

1 comment:

EΛΛΗΝΕΣ-ΑΛΒΑΝΟΙ said...

ΕΝΑΣ ΜΕΓΑΛΟΣ ΕΛΛΗΝΑΣ ΑΡΒΑΝΙΤΗΣ ΠΑΤΡΙΩΤΗΣ.ΑΙΩΝΙΑ ΤΟΥ Η ΜΝΗΜΗ.


ΕΛΛΗΝΕΣ-ΑΛΒΑΝΟΙ
http://fokas2000hotmailcom.blogspot.com/