Wednesday, February 6, 2008

PIKTORET ARVANITAS

Në ekspozitën e ikonografes Noti P. Kolia, në Athinë 1998.Kjo ikonografe ka bërë emër në Gjermani ku punon, por ka marr pjesë me sukses edhe në ekspozita në Amerikë.
Piktorët shqiptar-arvanitas të Greqisë

Mënyra e jetesës dhe veshja arvanitase e shek ujve të mëparshëm ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve të huaj që kanë vizituar Ballkanin në atë periudhë. Shumë piktorë të huaj të frymëzuar nga lloj i mënyrës së jetesës dhe veshjes arvanitase, mbushën tablotë e tyre me këto tema. Shumë tablo me portretin e luftëtarit arvanitas gjenden nëpër muzetë e mëdha të Europës dhe kanë tërhequr vëmendjes e vizitorëve të shumtë. Në shkrimet mëparshëm kemi folur për dy nga piktorët e mëdhenj grek që ishin me origjinë shqiptare, pra arvanitas, Eleni Bukura dhe të birin e saj Jani Altamura. Por në këtë përmbledhje të shkurtër që është bërë vite më parë nën kujdesin e historianit dhe studiuesit të njohur arvanitas, i ndjeri Aristidh Kola kemi sjellë një biografi të shkurtër të piktorëve të mëdhenj të Greqisë që vinin nga familje arvanitase. Në biografitë e tyre të shkurtra, Aristidh Kola ka marrë parasysh deklarimet e prejardhjeve të tyre arvanitase. Lidhjet e drejtpërdrejta të tyre me fshatrat e banuara me arvanitas në Greqi. Kështu, në këtë përmbledhje të shkurtër nuk janë përfshirë edhe shumë piktorë të mëdhenj të Greqisë që janë arvanitas si p.sh. Gizi, Biskini, Buzani etj.
Natyrisht, pothuaj të gjithë piktorët arvanitas të këtij studimi janë me prejardhje nga zona të banuara me shumicë dërmuese nga popullata arvanitase si: ishulli Hidra, Speca, Eubea Jugore, Atika etj., që janë zemra e Greqisë së lashtë edhe sot ende banohen nga shumica e popullsisë greke që janë me origjinë shqiptare. Qëllimi ynë nuk është thjesht biografia e piktorëve arvanitas në Greqi, por është sjellja e dokumentit historik për vërtetimin e piktorëve të mëdhenj të Greqisë me origjinë shqiptare të cilët vihen re edhe nga mbiemrat e tyre që kanë kuptimin e fjalëve në gjuhën shqipe dhe ende sot këto mbiemra i ndeshim në trevat shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni si Gjini, Kuçi, Kryeziu, Gjika, Voka, Çingo etj.

Polikron Lebesi (1848-1913)

Cilësohet sot si një ndër piktorët më të mëdhenj të Greqisë së Re. Ai lindi më 1848 në ishullin e Salaminës, por paraardhësit e tij kishin ardhur nga Parapungjia e Tebës. Kreu studimet në Mynih dhe atje punoi disa nga veprat më me emër të tij. Familja e Polikron Lebesit ishte shumë e varfër. Kur u kthye në Athinë të vetmit që i qëndruan në krah ishin fisi i Dragumëve dhe i Pavlo Melas që bënë përpjekje për rehabilitimin e Polikron Lebesit.
Polikron Lebesi vdiq në Athinë më 1913, tepër i varfër dhe i harruar, duke pikturuar për të nxjerrë bukën e gojës. Për të siguruar shpenzimet e varrimit të tij u shitën tablotë e tij me një çmim të ulët 2-5 dhrahmi copa në atë kohë. Plot 14 vjet pas vdekjes së tij, M. Velmos, nga faqet e revistës së tij “Fshikulli” do të shpërthejë kundra njerëzve që gjoja ishin bamirës të arteve; “O, sa e tmerrshme! Më i madhi piktor i Greqisë të mbetet i panjohur!...Ptuh, të pamend! Por jo! Mirë bëtë që e vratë një orë më parë Lebesin, sepse ju nuk jeni të denjë as t’i zini në gojë emrin!”. Polokron Lebesi ishte cilësuar “Papadiamanti i pikturës” dhe ishte dikur mik i Papadiamantit.
Veprat më të rëndësishme të Polikron Lebesit janë: “Portretet e plakut dhe të plakës Surbena”, “M. Dragumit”, “Fëmijë gjysmë i zhveshur”, “Fshatari në gomar”, “Vajza që ushqen pëllumbat” etj.

Niko Egonopulos (1910-1985)

Ai lindi në një familje arvanitase. Këtë gjë e pohon dhe Stefano Bulaniqianis në librin “Fjalor i pikturës greke” MELISA. Disa kohë më parë, një studiues amator nga Shqipëria minoritar grek, Dionis Qirzidhis hodhi baltë mbi origjinën shqiptare të Niko Egonopulos, duke mohuar primitivisht se nuk kishte origjinë shqiptare, pra arvanitase. Por siç del, ai jo vetëm që është nga familje arvanitase, por edhe është krenar për origjinën e tij shqiptare duke pasqyruar këto ndjenja në tablotë e tija.
Nëna e tij ishte e mbesa e beut të Hidrës arvanitasit Gjeorgjio Vulgarit, që u vendos në lagjen Plakë të Athinë. Nga familja Vulgari dolën figura të larta politike që u zgjodhën edhe kryeministër të Greqisë si Dhimitër Vulgari(1801-1877). Ai ishte kryeministër nga viti 1855-1857, 1862-1863, 1863-1864, 1868-1869, 1871-1872, dhe nga 1874-1875. Po ashtu, edhe Petro Vulgari(1884-1957) ka qenë Kryeministër nga 8.4.1945 e deri më 17.10.1945.
Pra nga kjo familje e madhe arvanitase rridhte nga mëma Niko Egonopulos. Por edhe babai i tij kishte origjinë arvanitase. Familja e babait vinte nga Fanari i vjetër i Stambollit. Rrëfimet e babait të tij për Skënderbeun e madh nuk e lenë pa prekur shpirtin e Niko Egonopulo, për arvanitasit e Stambollit. Niko Eglonopulo ishte një përfaqësues i shquar i rrymës Surealiste të pikturës në Greqi. Shpirti i paqetë, siç ishte, i ra anekënd Europës, por zemra e tij ishte e mbërthyer në Hidrën e lashtë që banohej nga arvanitasit. Shtëpia e tij kishte tre kënde “Shqipërinë-Hidrën-Kostandinopojën”. Dhe nga dritaret e shumta shpirti i tij i shqetësuar shikonte gjithë botën. Veprat më të mira janë portretet e “Skënderbeut”, “Mërkur Buas”, “Aleksandri dhe grekët”, “Gjuetari në agim”, “Gjumë dhe vdekje”, “Lufta civile greke” etj.

Nikola Voko(1861-1902)

Është një nga piktorët më të rëndësishëm i shekullit XIX. Ai lindi në ishullin e Hidrës. Nikolao Voko është nipi i arvanitasit të madhit Admiral Andrea Miauli, nga ana e mëmës. Nga babai e kishte origjinën nga Vokët ose Bokajt. Para ardhësit e Bokajve, sikurse dhe të Miaulëve, duket se kanë ardhur nga fshatrat arvanitase të Eubesë së Jugut në Hidra. Nikolao Voko, kur përfundoi studimet në Universitetin Politeknik të Athinës, fitoi në konkurs një bursë dhe vijoi studimet në Mynih. Pas studimeve Niko Voko krijoi shkollën e vet të pikturës në Mynih ku dha mësim, deri sa u sëmur dhe u rikthye në Greqi. Pas dy muajve vdiq më 1902. Nga veprat më të mira të Nikolao Vokos janë, e famshmja “Shitësi i peshkut” që fitoi çmim në ekspozitën ndërkombëtare në Çikago, dhe “Natyrë e qetë” që zbukuronte pallatin e nënmbretit të Bavarisë, Leopolit. Gjithashtu, piktor, shkrimtar dhe gazetar i madh ishte edhe vëllai i tij Gjerasim Voko.

Alqi Gjini(1933-?)

Lindi në Athinë më 24.8.1933. Është ndër piktorët më të rëndësishëm i brezit të ri, që premton shumë. Prindërit e Alqi Gjinit janë, nga Magula e Atikisë, dhe ai ruan lidhje të forta me atë vend. Studioi për pikturë në Athinë dhe që nga 1963-1966, në Londër. Surealizmi që lëvron Alqi Gjini bazohet në gjetjen origjinale që krijon një pamje fantastike. Alqi Gjini ka marrë pjesë me pikturat e tij në “Galerinë Kombëtare”, në Galerinë e Selanikut, Rodos, në Muzeun e Artit të Nju Jorkut.

Jani Kuçi(1860-1953)

Lindi në ishullin e Specas më 1860. Ishte një piktor-detar, vazhdues i vërtetë i piktorëve-detarë të mëparshëm, si Jani Altamura dhe Volonaqi, që atëherë ishte edhe mësues i tij. Ndoshta askush nuk mund të mendonte ecurinë e Jani Kuçit në pikturë. Sepse Kuçi ishte bir i një pronari dhe komandant anijesh dhe aftësia e tij në këtë drejtim i lanë pak kohë të merrej me pikturën. Vdiq më 11.2.1953 në Athinë. Vepra të tij ka në kishën familjare në ishullin e Specas, në muzeun detar në Pire, në Shoqërinë e Sigurimeve të anijeve dhe avionëve, dhe shumë në koleksionin vetjak të birit të Jani Kuçit.

Taso Haxhi (1927-1994)

Ishte një poet i ndjeshëm dhe ëndërrimtar-piktor. Lindi në Qeratea të Atikës më 1927. Studioi në shkollën e lartë të Arteve të Bukura në Athinë. Më vonë vazhdoi studimet në Paris, në Fakultetin e Dekuracionit. Botoi dy përmbledhje me skica nga Hidra dhe Zankintho. Nga viti 1968 u morr kryesisht me pikturë.
Ka marrë pjesë në shumë ekspozita në Greqi dhe jashtë saj dhe është lauruar me çmim në Festivalin Ndërkombëtar të pikturës të UNESCO në vitin 1969. Dhe nga Akademia e Athinës për drejtimin dhe hartimin e Albumit historik të Revolucionit grek të 1821. Në vitin 1963 ishte drejtor dhe pedagog në shkollën e pikturës të Athinës X.E.N. Vepra të Taso Haxhi gjenden në shumë koleksione të Galerive. Veprat e tij gjendet në muzeun e Bukureshtit në Rumani, në Universitetin e Selanikut, në Bankën Kombëtare në Selanik, në ministrinë e Arsimit, në ministrinë e Kulturës etj. Ai ishte autor i mbi 600 vepra arti. Vdiq më 17 shtator të 1994 në Athinë.



Njoftimi i vdekjes s
ë piktorit Taso Haxhi ( lart) dhe Akademikut arvanitas Niko Haxhiqiriako- Gjika, dramaturg, në revistën "Besa" të Aristidh Kolias, Athinë1994.


Stamati Lazaru(1915-....)


Me të drejtë cilësohet sot piktori më i madh popullor në ditët tona. Prindërit e Stamatit janë nga Methana. Familje puro arvanite, trashëguan shumë nga përparësitë e tyre tek i biri, që lindi më 1915 në Taburia të Pireut. Me malet e ashpra të fshatit të tij dhe me bashkatdhetarët e tij kishte kontakte të vazhdueshëm. Vetëm dy klasë shkollë mundi të mbaroi në gjimnazin e Pireut. Nevojat e ngutshme për të siguruar jetesën e familjes e detyruan të hidhet në luftën për bukën e përditshme. Në fillim punoi zdrukthëtar dhe mandej në një ofiçinë. Ato vite të luftës së jetesës u mor me fantazinë krijuese të pikturës. Punoi një morri veprash në dru, bakër dhe hekur. Luftërat e revolucionit të 1821 e frymëzuan gjithnjë Stamati Lazaru dhe nuk janë të pakta veprat me tema nga këto luftëra. Zbulojnë vlerën e veprave të tij dhe njëra ekspozitë ndjek tjetrën në Greqi dhe jashtë saj. Që nga viti 1964 u mor vetëm me pikturën, duke punuar mbi çdo lloj lënde. Do të afirmohet si piktori më i madh popullor sot dhe do të quhej “Teofili i ri” nga specialistët grekë dhe të huaj. Në moshën e të 70-ve do të punojë në kushte të vështira për shkak të një hemorragjie cerebrale. Do ta ndërpresë veprën e vet dhe gjesti i fundit i tij do të jetë ai që emocionoi së fundin gjithë opinionin grek, t’ia dhurojë veprat e veta Bashkisë së Pireut.

Thanasi Çingo(1914-1965)

Lindi në Elefsina. Studioi për arkitekturë në Universitetin Politeknik të Athinës dhe që nga 1946, tok me të tjerë arkitektë të mëdhenj, punoi për krijimin e qytetit modernë të Brazilisë në Brazil. Përfundimi i fantazisë krijuese të grumbulluar në krijimin e atij qyteti janë të njohura. Thanas Çingo, që ishte një shpirt i paqetë, nuk u kufizua vetëm me arkitekturë. Më 1947 viziton Parisin dhe kapet pas skenografisë. Dhe ndërsa arkitektura dhe skenografia janë pikësynimet e tij fillestare dhe pasioni fillestar, ajo që e bën të njohur nga gjithë grekët ishte lidhja e tij me lulet. Lulet ai i vizatonte me kaq dashuri dhe ndjenjë, me kaq forcë ngjyre, sa që, me të drejtë, i falën titullin “Piktori i Luleve”. Vdiq në Athinë më 1965.
Andrea Kryeziu (1813-1880)
Lindi në ishullin e Hidrës. Për pikturë studioi në Paris. Dhe kur u kthye në Greqi, u emërua mësues i vizatimit në gjimnazin Ermupoli në ishullin e Siros. Vepra të këtij piktori ka në Galerinë Kombëtare Greke, në Galerinë e Patrës dhe në koleksione private. Nga veprat më me vlerë të Andrea Kryeziut janë “Kapedani nga Psara, Mbërritja e mbretit Gjeorgjio në Greqi” dhe mjaftë tablo me tema detare, dhe portrete. Andrea Kryeziu vjen nga familje e shquara që i kanë dhënë shumë pavarësisë së Greqisë dhe kanë qenë aktiv në jetën politike të Greqisë. Fisi Kryeziu janë arvanitas dhe për herë të parë me dokumente të shkruara i ndeshim në shek. XVII në ishullin e Hidrës. Por sipas gojëdhënave, ata kanë ardhur në Greqi nga viset shqiptare të Kosovës. Edhe sot e kësaj dite në Kosovë ndeshim mbiemrin Kryeziu i cili i përket mbiemrave të kuptimit në gjuhën shqipe, pra fjala Kryeziu apo Kriezis nuk ka kuptim në gjuhën greke. Valët e mëdha të mërgimit të arbërve nga pushtimi i tokave të tyre në veri nga sllavët dhe më vonë nga osmanët turq bënë që edhe fisi i Kryezive të shpërngulen dhe të vendosën në Greqi si shumë familje të mëdha arbëreshe që ngulimet e para në dokumentet historike i ndeshim nga shek. XIII. Në shek. XV-XVI mendohet që arbëreshët u vendosën në masë të madhe në ishullin e Hidrës. Gojëdhënat flasin se shumica e këtyre arbëreshëve që nga grekët u quajtën arvanitas vinin nga Morea, Eubea, Çamëria (Parga, Suli, Arta), Vlora, Himara, etj., pas humbjes së Venedikasve në luftën 1714-1718 kundër turqve që e fituan këtë luftë. Mundet që Kryezitë t’i kenë rrënjët nga Kosova dhe duhet të kenë qenë ushtarë në gardën e Skënderbeut dhe mbase pas vdekjes së tij ashtu si qindra ushtarë të cilët me familjet e tyre u shpërngulën në viset e tjera të banuar nga shqiptarët, ndoshta edhe Kryezitë për t’u shpëtuar masakrave sllave dhe turke të kenë mërguar në tokat shqiptare që sot janë të Greqisë. Si fillim mundet të jenë vendosur në Sul, Eube dhe përfundimisht me dëshmi të shkruara i ndeshim që u ngulën nga shek. XVII në ujdhesën e Hidrës. Pra, Kryezitë nuk kanë ardhur në Hidra nga toka e tyre amë, por nga Eubea Jugore. Kryezitë u morën në përgjithësi me tregti detare që në fillim të shek. XVII e në vazhdim. Sipas dokumenteve, Dede Kryeziut u zu rob nga piratët në Kretë, ku aty mësoi teknikën detare dhe këtë teknikë e solli në ishullin e Hidrës. Në shek. XVIII kemi Mihal Kryeziun, i cili ishte tregtar dhe kapiten anije dhe solli nga Venediku hartat e para detare dhe busullat. Familja Kryeziu kishte në pronësi të saj anije të vogla dhe të mëdha. Pra, bëhet fjalë për një nga familjet e mëdha dhe të pasura arvanitasve të ishullit Hidrës. Në vitin 1781 Dimitri Kryeziu ishte sekretar i drejtorisë së Hidrës. Ai kishte shtatë djem, të cilët drejtoni shtatë anije të mëdha. Dy nga djemtë e Dimitër Kryeziut u vranë në Revolucionin e 1821. Pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë Kryezitë u morën edhe me politikë. Një nga Kryezitë që pati karrierë të suksesshme në politikë ishte Andon Kryeziu, nipi i Dimitrit. Ai, më 1836 bëhet ministër i Marinës detare greke, më vonë bëhet krye kujdestar i oborrit të mbretit Otton dhe zgjidhet kryeministër më 1842-1844, dhe në vitin 1849-1854.

Niko Haxhiqiriako-Gjika(1906-1994)

Piktori Akademik Niko Haxhiqiriako-Gjika(1906-1994) është përfaqësues kryetar i kubizmit në Greqi. Lindi në Athinë më 1906 dhe është bir i Admiralit hidriot, Aleksandër Haxhiqiriakut dhe i hidriotes Eleni Gjika. Studimet më të rëndësishme të tij i kreu në Paris, ku kishte rastin të studiojë piktorët e mëdhenj monatorë. Në moshën 17 vjeç hapi në Paris ekspozitën e parë dhe shumë shpejt u afirmua në qarqet artistike të Parisit. Duke u kthyer në Greqi, bëhet kuadër kryesor i një lëvizje për arsimin artistik të popullit grek. Bashkëpunoi me arkitektin e madh Pikion, me Egonopulon, me skulptorin M.Tobro, me poetin Papaçoni etj. Në vitin 1973 bëhet Akademik i Akademisë së Athinës. Veprat e tij zbukurojnë muzeun e artit modernë të Parisit, Galerinë Teit të Londrës, Metropolitanin e Nju Jorkut, muzetë e Melbumit dhe galeritë më të mira të Greqisë dhe të mjaft vendeve të tjera. Nga veprat kryesore të tij veçojmë “Dy figura, Gruaja që dremit, Pasqyrë e padukshme, Admiral Haxhiqiriakos, Dielli i zi, Shtrati i lumit” etj. Vdiq më 1994 në Athinë.

shkruar nga
Nga ARBEN LLALLA Gazeta Shqiptare 23/03/2008

No comments: