Saturday, May 8, 2010

ARISTIDH KOLIA : “Rrenjet tona jane ne Arberi!”


ARISTIDH P. KOLIA
(1944-2000)



Me rastin e 10-vjetorit te vdekjes se studiuesit dhe veprimtarit te shquar arvanitas Aristidh P. Kolia, miqte e admiruesit e vepres se tij, organizuan nje mbledhje perkujtimore ne sallen e Ministrise se Turizmit Kultures Rinise dhe Sporteve ne Tirane. Kishin ardhur jo vetem ata qe e kane njohur nga afer kete figure qe tashme ne syte e shqiptareve ka marre permasat e nje heroi, por edhe lexues te shumte te vepres se tij. Shumica e te pranishmeve ishin nga Tirana por kishin ardhur edhe nga qyteti i Shkodres i njohur per traditat art e kulturedashese. Fjalen kryesore e mbajti gazetari dhe kineasti Kolec Traboini, i cili e ka njohur Aristidh Kolian nga afer ne kohen kur nxirrte gazeten shqipe “Egnatia” ne Athine dhe ka botuar librin “E verteta perveluese e Aristidh Kolias”.



ARISTIDH KOLIA: “Rrenjet tona jane ne Arberi!”


Nga KOLEC TRABOINI


Kane rene kembanat e ka ardhur ora per ata qe duan te degjojne e kuptojne se, kultura e traditat, historia dhe gjuha nuk mund te kufizohen edhe me tej brenda kufinjeve te Shqiperise, te cilin e sajuan te tjeret e jo ne, ne vitin 1913. Duke u qorrollepsur e duke u sjellur si provinciale ne kete kopshtin tone te vogel, ne e kemi humbur besimin prej arberoreve qe rrojne pertej gardhit tone. Sot arvanitet dhe arbereshet e shohin me skepticizem Shqiperine dhe po i hedhin syte nga Kosova me shprese se ajo do te behet qendra arberore e shqiptareve te gjithe botes.

Kete e ndjente dhe e thoshte jo pa pikellim edhe i paharruari Aristidh Kolia, kjo figure e madherishme e kultures arberore, por na thone sot e kesaj dite, anipse ne bejme sikur nuk degjojme, edhe veprimtaret e tjere arvanitas e arberesh si Jorgo Miha, Jorgo Jeru e At Antoni Bellusci.

A ka ky shtet shqiptar nje Akademi te degjoje kembanat, qe te mos lere ne harrim kulturen tone pertej kufinjeve, nje kulture e tradite, nje histori plot lavdi, qe eshte po me aq vlere sa ajo brenda kufijve, ne mos me shume.

Vec bustit te De Rades si nuk u pa gjekundi ne kete dhè nje monument a bust per ata qe dhane aq shume per kulturen arberore jashte kufijve te vitit 1913. Si nuk u pane te shfaqen ne dy dekada grupet kulturore arvanite arberore ne kete vend. Te mos flasim per shkrimtare, piktore e artiste qe jane nderi e krenaria e fqinjit tone te jugut. Pse ia sharrojme vetes deget qe kemi nen kembe. Me fustanellen tone krenohen fqinjet duke e quajtur pjese te etnografise se tyre kombetare. Po ne si nuk morem nje kostum aq te mrekullueshem te grave arvanite e te mburremi me te, sepse eshte vertete pjese e kultures tone te mrekullueshme arberore. Pasi na zvogeluan gjeografikisht te tjeret, pse per fajin tone, vazhdojme te zvogelohemi shpirterisht.

E kryepseja: pse pra ne e kemi humbur shansin historik per t`u bere qendra e mbare botes arberore-arvanite-shqiptare?

Pare ne kete sy, mund te them se diku pertej gardhit tone, ne Greqi, patem fatin te njohim Aristidh Kolian, personalitetin me te madh arvanitas te shekullit XX dhe nje nga njerezit me te ndritur te kombit tone. Akademiket tane qe flene neper katedra duhet t`ia kene zili atij, por jo zili per keq, sepse ai ishte e mbetet pjese e kultures sone arberore, por t`ia kene zili per vullnetin e kembenguljen, per sakrificen, sepse Aristidh Kolia ne studimet e veprat e veta, vuri tere dashurine, tere pasionin, tere kohen, edhe jeten e vet duke punuar ne kushtet e nje terrori verbal e psikologjik.

Por mendoj se ketu vegjeton edhe nje zili per keq, prej atyre qe kane veshur papucet akademike te Obllomovit. Lenia jashte vemendjes, thuajse ne harrim e kesaj figure, duke mjaftuar me emertimin “Aristidh Kolia” nje rrugice te vogel ne periferi te Tiranes, diku fshehur pas pallatit te Brigadave a fshatin Sauk, eshte vertete shprehje e qendrimit tone cinik ndaj kultures arberore, e mendesise sone te vetizolimit, per te mos thene frikes se mos bash per kete mbeten prishaqejf diplomatet e fqinjeve. Veshtire eshte ta pranojme te verteten, por pa e pranuar ate nuk ka as dhe nje shans te vetem te gjejme nje udhe te drejte ne kete mishmash kombetar, ku flitet vec per politike, ku prodhohen vec konflikte e kultura konsiderohet si nje handikap shoqeror i bezdisshem.

Aristidh Kolia i madh kishte nje mendesi krejt tjeter. Kultura, tradita, gjuha, prejardhja, historia ishin gjithcka ne jeten e tij. Ai e shihte Shqiperine me syte e shpreses. Ai kishte udhetuar kater here ne Shqiperi e nje here ne Kosove, por edhe ne Kalabri e Sicili, gjithnje me deshiren e zjarrte per ta thyer ate barriere qe na kishin vene ne mes nesh, ne mes te njerezve te nje gjuhe dhe nje gjaku. Ndaj eshte krejt e kuptueshme ciltersia me te cilen e priti dyndjen e emigranteve shqiptare ne Greqi me mendimin, se kjo do te ishte nje rast ideal per te krijuar lidhjet e mungura ne mes te kraheve te shqiponjes.

Ai u afroi shqiptareve emigrante nje miqesi pa asnje rezerve e pa asnje kusht. Ai nuk perdori per ta asnje here fjalen emigrant. I quante me gjuhen e tij te bukur shqipo-arvanite “djemt”. Kush e di c’bejne djemt. Kush e di ku jane djemt. I therriste ashtu sic therriste te birin e vet Panajotin. Me te njejten dashuri. Ishte nje miqesi e dashuri qe buronte prej gjakut te perbashket qe na rridhte ne damare e gufonte ne zemrat tona arberore. E me se shumti nuk ishim ne qe e kerkonim ate, sepse edhe druheshim, por ishte ai qe interesohej se cfare ndodhte me emigrantet shqiptare ne Greqi. Qe kur e takuam per here te pare, ashtu do ta ruajme ne kujtese, te gjalle e plot energji , te perzemert , me fytyre plot drite e te qeshur, gjithmone i mire e bujar. Kush tjeter si ai!

E kjo ndodhte se ai kishte nje vizion te madh e nuk i shihte shqiptaret e Shqiperise se vitit 1913 si njerez te pertej sinoreve, por vellezer gjaku, sepse e dinte se kufijt ishin krijuar nga te tjeret e jo nga shqiptaret, se pengesat i sjellin qeverite e politika, por jo popujt.

Aristidh Kolia ishte si nje diell qe lind, kalon ne zenit dhe perendon, e gjate gjithe udhes ne qiell ndricon per njerezit. Keshtu ndricoi gjate tere jetes se tij miku yne i madh e i paharruar qe sot e kujtojme me nostalgji. Vec perendimi ishte tejet tragjik per diellin metaforik me emrin Aristidh Kolia. Ai kaloi nga Thiva ku lindi, permes fshatrave arvanite te Atikise, qe i rrine Athines si kurore, nga ishulli Salamina i Anastas Kulluriotit, kalonte neper malet e Morese, tek Arbershet e De Rades e Zef Serembes ne Kalabri e Siqili te Italise, ku zuri miq te medhej si At Antonio Bellusci me te cilin e lidhi nje miqesi e jashtezakoneshme.

Te dy dijetare me mendje te ndritur, karakter te forte e zemer guximtare. Njeri ne lindje e tjetri ne perendim te Arberise sone. Si dy zogj shqiponje,se bashku fluturuan lart por edhe larg deri ne Strasburg, per t’i thene Europes se Arvanitet, trashigimtaret e Kollokotronit, Marko Bocarit, Gjergj Karaiskaqit, Laskarina Bubulines e plot heronjve te tjere te Revolucionit Grek, ishin gjalle, anipse te harruar, pak prej vetes e shume e me shume prej te tjereve. Ata keshtu po i kthenin arvanitasve krenarine e dinjitetin, lavdine e nje historie te mohuar.



E verteta qe mbronte Aristidh Kolia kaloi si hark drite edhe ne qiellin e Shqiperise dhe Kosoves e mbare trojeve shqiptare ne Ballkan.

Kush me shume e me zjarrte se ai i mbrojti shqiptaret e Kosoves kur edhe ne revisten e tij “Arvanion” shkruhej me germa te medha “Edhe une jam kosovar!”.

Ai me guximin qe tregoi shfaqi tiparet e trimave arvanit ne histori qe nuk e njihnin friken. Ata ishin lindur ne lufte dhe lufta i rriste e i trimeronte, sic thote miku i tij, veprimtari tjeter arvantias Jorgo Miha. Vetem pse mbronte shqiptaret e Kosoves ne te drejten e tyre per liri, u kercenua publikisht ne nje emision televiziv nga nje gazetare, sot deputete komuniste ne parlamentin grek: “Ju akuzoj si agjent i te huajve…me e pakta i UCK-se, ju akuzoj per agjenture dhe propogande te zeze, jeni armik i brendshem.”

Per kete ngjarje skandaloze ne median greke, ndoshta e vetmja e ketij lloji ne mbare Europen, ne nje leter qe Aristidh Kolia i dergoi mikut te tij arvanitas, Taso Karandis, botuar post mortum ne revisten “Ritmi i Salamines”, shkruante.:

"Shume miq me telefonuan per te shprehur indinjaten per balten qe hodhi mbi mua zonja Liana Kaneli gjate emisionit televiziv ne "Skaj" 5 Maj 1999, dhe me pyeten perse e perballova me qetesi, kur duhej te kundersulmoja... Miqte e mi, mos u merzisni e mos u hidheroni per kete, sepse "e drejta del, vjen kur t`i vije ora…". E kam dashur dhe e dua vendin tim, por dashuria ime nuk eshte me fjale por me veprat e mia, te cilat do te kujtohen kur balta e zonjes…Kaneli te kaloje ne harresen e shekullit. Kam preferuar gjithmone te shkoj kundra rrymes e jo te shkoj nga shkon rryma dhe fryjne ererat . Nuk jam lepire e nuk kam puthur kurre kembet e permjera dhe per kete e paguaj shtrenjte dhe ne menyre te perditeshme me nderin, dinjitetin dhe lirine time..."

Dhe e pagoi. E pagoi pa ju dridhur qerpiku sepse kishte gjak arberor e karakter arvanit te pamposhtur.Me te drejte i vellai i tij, Jorgo Kolia, thote se me Aristidh Kolian ndodhi ajo qe thuhet ne nje proverb biblik: “Kush ka guximin te thote te verteten, kryqezohet”

U be nje dekade qe nga ajo dite e zeze athinjote, ajo vdekje mizore, qe na e rrembeu parakohe e krejt e papritur Aristidhin tone. Po a thue pernjimend u shua ai diell arberor? Kurrsesi , sa kohe qe ia ndjejme rrezet e ngrohta qe burojne prej veprave te tij. Se ja keshtu ka ndodhur edhe me Anastas Kulluriotin e Jorgo Marugen, por iken vetem fizikisht. Asgje tjeter nuk ka ikur vec trupit qe ju kthye dheut te krijimit.

Nuk mund t`i vihen pranga drites. As ideve dhe frymes se tij qe ndjejme ne cdo liber e ne cdo fjale. Veprat e mendimet e tij na shoqerojne. Sot me teper se dje, neser me teper se sot, keshtu ne vazhdimesi, sa kohe qe bijte e shqipes arberore, shqiptaret, arbereshet, arvanitet rrojne e do te rrojne mbi dhè.

Aristidh Kola ishte nje mendje e ndritur qe e kuptonte se ne kete bote kish jete por kishte edhe vdekje, por dinte akoma me mire se vdekja mund te mundej me vepra te medha per njerezit. Ai e dinte mirefilli se ka nje menyre per te rrojtur edhe pas vdekjes, cfare ne te vertete e mrekullisht ndodh. Se ja, tani per Aristidhin tone dine e flasin me shume njerez. Ani pse gazetat shqiptare ne Tirane e Prishtine fare pak shkruajne, se jane peng e rober te politikes dhe interesave konjukturale, por fale komunikimit te shpejte e masiv elektronik, per Aristidh Kolian sot flasin e shkruajne me admirim ne te kater anet e globit, nga Europa ne Amerike, Kanada dhe Australi, kudo ku ka shqiptare.

Vepra e tij madhore “Arvanitet dhe prejardhja e grekeve” vec 12 botimeve ne Greqi, eshte botuar e ribotuar edhe ne Shqiperi, por, edhe vepra te tjera si “Gjuha e Perendive” tashme i kane ne dore shqiptaret ne arberishten tone te lashte e te bukur.

Disa njerezve vdekja iu sherben per t`u bere edhe me te gjalle se te gjallet. Kur trupi iken, shpirti vjen me prane njerezve. Ringjallje sipas shembelleses Ungjillore. Ndaj gjithmone do te themi se Aristidh Kolian e kemi gjalle midis nesh. Ai zjarr dashurie e krenarie qe ndezi ne mes te arvaniteve si te ishte nje Promete, kurre nuk mund te shuhet.

Le ta mbyllim me fjalet qe aq shume i kish per zemer i pavdekshmi Aristidh Kolia: “Rrenjet tona jane ne Arberi!”

E keto fjale, qe te kujtojne edhe te madhin De Rada qe i mbylli syte duke pare detin, duhet t`i kene ne mendje e ne zemer arvanitasit edhe arbereshet, por duke ditur rrethanat e mundesite, le t`i ndihmojme edhe ne sado pak, qe te mos i harrojne, qe njerezit qe kane guximin te thone te verteten edhe me tej te mos kryqezohen, qe erresira te mposhtet perballe drites e shpirti i Arberit te rroje pergjithmone!


Kolec TRABOINI
traboini@yahoo.com


Align Center