Monday, April 23, 2007

URAT E ARISTIDH KOLIAS











URAT E ARISTIDH KOLIAS
esè
KOLEC TRABOINI

Aristidh Kolia ishte arvanitasi me fat tragjik në mes të dy dashurive të tij të mëdha për dy popuj, dy shtete, që ende, si atavizëm historik, kishin në mes tyre një mal me urrejtje.

Një pensionist në Tiranë, që kërkon të terheqë vemëndjen e lexuesve, duke denigruar një prej figurave më të shquara të arvanitasve-arbëreshëve të Greqisë, ka hedhur në letër të parat fjalë që i kanë ardhur ndër mënd. Është ndodhur, ta zëmë, si në aforizmat e librit të Dritero Agollit "Shkelqimi e rënia e shokut Zylo", "Ti je murë i lartë por unë të heq gurin e fundit" se ja ku, e zeza mbi të bardhë, në gazetën "Sot" shfaqen meditimet pleqërore fort të zymta të vetdeklaruarit pensionist Petrit Bidoshi, që e konsideron Aristidh Kolian asgjë më pak se përçues i ideve të megaloidhesë greke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kur vjen puna për të vlerësuar qëndrimin e Aristidh Kolias përkrah popullit të Kosovës e kundër gjenocidit të falangave të Millosheviqit, bash atëherë kur tërë Greqia ishte proserbe, Bidoshi e kalon si një gjë të thjeshtë. Harron ky se pikërisht kjo sfidë e jashtëzakonëshme publike proshqiptare e Aristidh Kolias do ti sillte si pasojë tragjike vdekjen e tij.
Ja çfarë pohonte në fund të jetës së tij Aristidh Kolia për situatat që përballonte kur në opinionin publik grek mbronte me kurajo të jashtëzakonshme popullin shqiptar të Kosovës: “Përsa i perket betejës së kanaleve( televizive-shënimi im KT), e dija se shkoja në gojën e ujkut. Më kishin ngritur kudo kurthe, nuk më linin të flisja kur shikonin se po ndikoja në opinionin publik me mendimet e mia. Shkoja i ndërgjegjëshem për të gjitha ato veshtirësi…” (Gazeta Albanian Mail, Londer).
Mirëpo këto i harron Bidoshi i Tiranës, që mesaduket nuk ka lexuar fare gazete a libra në vitin 1999, a të ketë dëgjuar për parullat shkruar nëpër tërë muret e qëndrës së Athinës "Aristidh Kolia tradhëtar… Aristidh Kolia në litar". Nuk besoj se ato parulla i kanë shkruar shqiptarët kundër atij, Aristidh Kolias pra, që, sipas Bidoshit, na paska qënë një grek me ide shoveniste ndaj kombit e popullit shqiptar.
O zot na i ruaj mënd e kokës…
Jo, këto qëndrime humane e proshqiptare të Aristidh Kolias, nuk paskan kurrfarë rëndësie për pensionistin e Tiranës, që ka pension të vogël, i mungon uji e drita, por tërë hallin e merakun e ka të gjejë ide të megaloidhesë tek Aristidh Kolia. Kërkon nëpër faqet e një libri voluminoz, ku pse jo, edhe mund të ketë ndonjë lapsus apo pasaktësi si në çdo libër studimor për epokat e hershme e shpesh të errta në historinë e popujve të Ballkanit. Kërkon me zulm e me ngulm të gjejë atë çfarë Aristidh Kolia nuk e inspironte kurrqysh. Aq më tepër është marrëzi të thuash që Aristidh Kolia kerkonte që Shqipëria të aneksohej prej Greqisë.
Idetë e Aristidh Kolias ishin të hapura e pa ekuivoke, të shprehura qartë si drita e diellit, se nuk ka popull më të afërt për grekët se sa shqiptarët dhe nga ana tjetër nuk ka popull më të afërt për shqiptarët se sa grekët në historinë e largët e deri në kohët më të vona, pavarësisht se sot të shfaqet një ekstrem e një largësi e paimagjinueshme, madje paradoksale në mes të këtyre dy popujve me histori fort të ngjashme.
Për më tepër ajo çfarë shprehet në kontekst historik, qindra apo mijra vjeçare, nuk ka si aktualizohet e të shitet si një ide e re dhe e fresket e kohës sonë. Aristidh Kolia i referohet kohrave më të hershme, epokës së pellazgëve prej të cilëve kanë buruar të dy popujt, edhe shqiptarët edhe grekët e këtu e gjen ai zanfillën e lidhjeve që kanë patur historikisht. Studiuesi arvanitas nuk e përdor termin popuj helen në kuptimin e ngushtë të kombit modern, siç e keqinterpreton Petrit Bidoshi, përkundrazi në një kuptim më të gjërë si një vazhdimësi e pellazgëve, pra i të njëjtit burim pellazgjik të shqiptarëve dhe grekëve.
Që të mos bjerë në vazhdimësi në keqinterpretime të tilla, z.Bidoshi është e udhës të lëçisë diç më shumë se vetëm një libër për arvanitët, të mësojë se edhe vetë shqiptari Ali Pashë Tepelena kishte idenë zanafillë, madje bëri përpjekje, për krijimin e një shteti të përbashkët shqiptaro-grek, pra nuk i shihte larg shqiptarët e grekët. Edhe Vasiliqine e bukur të shtratit e kishte greke. Vite më vonë, pas luftës ruso-turke, ku perandoria osmane u dobësua, ishte gjallëruar sërisht ideja për çlirimin e Shqipërisë dhe krijimin e një shteti grekoshqiptar, ide që kishte shumë përkrahës e kjo vinte nga ndikimi i madh që kishin udhëheqësit arvanitas në shtetin grek, ndër të cilët: Spiro, i biri i Gjergj Karaiskaqit, Jani i biri i Kollokotronit, pasardhësit e Xhavellëve dhe Boçarëve, Teodor Griva dhe Kiço Xhavella. Vlen të përmëndet edhe Dhimiter Noti Boçari, që më pas do të zgjidhej President i Lidhjes së Arvanitëve të Athinës. Kjo shoqatë në vitin 1899 do të bënte një shpallje në të cilën i bënte thirrje të gjithë shqiptarëve për tu ngritur për çlirimin e vendit nga pushtimi shekullor otoman. Për këtë akt, në vitin 1996 Aristidh Kolia ka botuar një libër studimor, “Një dokument historik i 1899 : Thirrja e Lidhjes Arvanitase”.
Ndër të tjera në këtë thirrje të firmosur nga Shehu, Marko Noti-Boçari dhe Kiço Xhavella,( të tre këta ishin suliotë) thuhet se “grekët para se të jenë grekë ishin shqiptarë, pra pellazg. Grekë do të thotë shqiptarë të qytetruar”, (Aristidh P.Kolia: “ I prokiriksi tou Arvanitikou Sindhesmou”, botim greqisht f.66, Thamiris, Athina 1996.)
Në studimin e vet Aristidh Kolia vinte në dukje se grekët e sotëm nuk e dinë se gjuha popullore, e rrugëve, e pazarit deri në vitin 1870 ishte arvanite, dhe deri në kohët e vona kjo gjuhë është folur në lagjen Plaka pranë Akropolit, zonë që ka qënë arvanitase që nga shekulli i 14 e deri në dhjetëvjeçarët e pas pavarësisë. (Vepër e cituar f.87.) Është për tu vënë në dukje, shton A.Kolia, se në vitin 1860 gazeta satirike “To Fos”(Drita), botonte poezi satirike arvanitase, pa e ndjerë nevojën e përkthimit në greqisht. Kjo sepse gjuha arvanitase flitej gjithandej madje edhe në pallatin mbretëror në epokën e mbretit Othon apo edhe të Gjeorgjit të parë. Një poet i asaj kohe, emri i të cilit është i panjohur, ka botuar një poemë të gjatë në gjuhën arvanite për princeshën Aleksandra. Në revisten “Besa” nr.34 që botonte Aristidh Kolia në Athinë, është ribotuar kjo poemë nga arvanitasi Jani Gjika.
Kjo ishte gjëndja , këto ishin mardhëniet, kështu mendonin shqiptarët e grekët e asaj kohe e ne me këto përvoja( makari të hidhura) që kemi sot, nuk mund ti gjykojmë strikt stërgjyshërit tanë dhe opinionet e tyre të dikurshme. Nuk mund ti themi, ta zëmë, trimit me nam Çelo Picari, çfarë deshe ti o Çelo që në krye të një çete luftetarësh shqiptarë more pjesë në kryengritjen e Thesalisë në vitin 1878 kundër pushtuesve otomanë, çfarë deshe ti o Çelo Picari në parlamentin grek, i veshur me fustanellë shqiptare, vajte tu marrësh dorën armiqëve shekullore, kryeministrit grek Harilao Trikupi (me gjak arvanitas dhe ky),…e pra sot o Çelo Picari, grekërit të kanë vjedhur trojet, historinë, madje edhe fustanellen.



Çelo Picari me fustanellë në parlamentin grek, në foltore kryeministri Harilao Trikupi.

Ky lloj gjykimi semplist i të shkuarës është vertetë një grotesk për kohën tonë aq me tepër kur pretendojmë të bashkjetojmë me tërë popujt e Ballkanit në Bashkimin Europian. Makari tia arrijmë asaj dite të ëndërruar.
Ne duhet ta marrim realitetin siç ka qënë e të perpiqemi të kuptojnë se çfarë ndodhte në atë epokë, kur shqiptarët e grekët qenë shumë afër e mund të themi më afër se kurrë, aq sa në parlamentin e parë grek më shumë se gjysma e përfaqësuesve flisnin arvanitika, pra shqip.
Edhe grekët e pranojnë shqiptarin Ali Pash Tepelena si promotorin e lëvizjes greke për pavarësi nga Turqia, por veç pas vrasjes së pashait nga turko-shqiptarët (se pashallarët shqiptarë nuk ja lanë gjithë “nderin” për vrasjen e Ali Pashait pushtuesve turq), zjarri u ndez në Greqi, ndërsa në territoret shqiptare Sulltani i kishte ende krahët e ngrohta prej besnikërisë prej qeni të bejlerëve shqiptarë, të cilët si lanë duart me pashain kryengritës, u ngutën e u përmutën, duke shkuar të shuanin kryengritjen për liri të një populli tjetër ballkanas. Kjo është një e vertetë historike e dhëmbshme, por si çdo e vertetë nuk kemi se si e fshijmë nga analet e historisë, paçka se na i bën me turp kasten e bejlurçinave që rronin vetëm me idenë se arnautët ishin e do të mbeteshin perjetë thjesht raja besnike të Turqisë. E historia rodhi si rrodhi. Grekët me krahët e gjakun e arvanitasve e fituan pavarsinë, ndërsa shqiptarët në saj të besnikërisë së krerëve injorantë, vazhdonin të mbeteshin edhe për një shekull tjetër nën dhunë e gjak, nën robërinë poshtëruese të hordhive të Azisë së Vogël.
Formimi i shtetit grek solli zhdukjen e vrasjen e udhëheqësve arvanitas, pikërisht ata që bënë revolucionin e sollën pavarësinë. Qarqet ultranacionaliste greke nuk ngurruan të helmonin në qeli madje edhe heroin kombëtar të Greqisë arvanitasin Teodor Kollokotroni, megjithëse ky kurrë nuk kish deklaruar origjinen e tij shqiptare. E vranë pas shpine heroin legjendar Gjergj Karaiskaqin, që fjalët e fundit të mallkimit ndaj vrasësit i lëshoi në gjuhën e arvanitasve, pra shqip. Edhe Bubulina, trimeresha e detit, po ashtu u vra, tinëzisht, pas shpine.
E tani si mund ti konsiderojmë këto figura që i sherbyen lirisë së popullit e kombit grek? Tradhëtarë?! Ah jo, zotërinj Bidoshë të Tiranës, historia nuk di të flasë me gjuhën e urrejtjes etnike, por të vertetës e të arsyes, të fakteve e të rrethanave. Ata që luftojnë për lirinë e popujve të tjerë, nuk mund të jenë tradhëtarë të popullit të vet. Aspirata për liri është universale dhe i kapërcen pragjet ultranacionaliste. Nga ana tjetër mendoj se nuk ka liri të plotë populli grek, sakohë që këto liri nuk ua njeh arvanitasve, etnive e minoriteteve të tjera brenda Greqisë. Por kjo normë, nuk vlen vetëm për Greqinë por për çdo shtet, popull e komb, edhe për ne shqiptarët gjithashtu…
Megaloidheja vertetë pushtoi tërë trurin grek, për të mos lënë hapsirë për arsye, as dëshirë për paqe e mirëkuptim në mes të dy popujve, por ajo, megaloidheja pra, nuk përfaqësonte dje dhe as nuk përfaqëson sot aspiratat e popullit të thjeshtë grek. Shovenizmi ishte tipar i qarqeve politike duke përfshirë dhe qëndrat fanatike të orthodhoksisë me frymë bizantine, që nuk ngurruan të masakrojnë madje edhe një prift mësues shqiptar, Papa Kristo Negovanin, që nuk e di pse ende nuk e shpallim shënjtor të orthodoksisë shqiptare, apo edhe për këtë duhet tu marrim leje grekëve?! Domosdo se i kemi në krye të Autoqefales, por ironikisht të miratuar nga shtetarët mendjeshkurtër shqiptarë.
Historia dihet, dihen edhe rrjedhimet, orekset, dhuna, gjaku. Dihet dinakëria e fqinjëve por dihet edhe miopia jonë, thënë më saktë i shtetarëve e politikanëve tanë, që sa i përket interesave kombëtare, na nxjerrin gjithnjë zbuluar e në pozita inferiore.
E tani që hendeku i madh në mes të dy kombeve është hapur aq i thellë nga Bidoshët e Grekoshët e këndej e andej kufirit, është e natyrshme që të ketë ende plot shkurre e ferra në mes të dy popujve. E prej shkurreve e ferrave të sotme nuk mund të gjykohet historia e djeshme, ku shqiptarët e grekët së bashku luftonin kundër hordhive pushtuese. Ndoshta Bidoshët shqiptarë ende mendojnë se do qe më mirë po të vazhdonim të ishin edhe sot e kësaj dite nën Turqinë.
Aristidh Kolia ishte një arvanitas i madh, krenar për gjakun e vet shqiptar, ishte për miqësi e dashuri në mes të dy popujve shqiptar e grek. Ai ngrinte ditën për diell ura miqësie që të tjerët, netëve të sterrta mesdhetare ja shkatrronin. Por nuk duhet harruar, ai ishte qytetar grek e mund të themi me bindje, një qytetar i madh grek, që e donte nga thellësia e shpirtit atë vend e atë popull ku kishte lindur. Por atij i dhëmbte e verteta, e vertete historike që ju mohohej arvanitëve që sollën lirinë e pavarësinë me trimërine e gjakun e tyre si dhe hodhën themelet e shtetit të ri grek.
Shpesh herë vepra e tij më e madhe “ Arvanitët dhe prejardhja e elinëve” keqkuptohet si nga ekstremistët greke por edhe ata shqiptarë. Të parët nuk pranojnë në asnjë mënyrë se ka ndonjë lidhje të populli grek me atë shqiptar, ndaj mohojnë çdo gjë që parashtron Aristidh Kolia në librin e tij, të dytët bëhen kritizer të sëmurë duke kërkuar që Aristidh Kolia të ishte një militant nacionalist shqiptar, e kur nuk e gjejnë kështu skematik siç e dëshërojnë nuk ngurrojnë ta konsiderojnë si një përhapës të ideve të helenizmit në kohen tonë.
Ka disa shqiptaro-grekë te shkolluar në fushën e gjuhësisë e studimeve historike, te strehuar e me trajtim financiar nga strukturat greke në Athinë, që në debate internetike perpiqën të hedhin poshtë çdo gjë që studiuesi arvanitas ka shkruar. Nadje ta quajnë thjeshtë një përsëritës e me keq një kopiues i rëndomtë veprave të arvanitasit të heshëm Kupidori. Këto anomimë, të shfaqur së voni në vitin 2006 tek Forumi Shqiptar në Internet, po bëjnë pikërisht atë që kemi parandjerë e që në shtyp e kemi trajtuar si vrasja e dytë e Aristidh Kolias, pra denigrimi e mohimi total i veprës së tij. Mirëpo ata që e vranë fizikisht nuk e konsiderojnë të mbaruar misionin e tyre antiarvanitas e antishqiptar pa i vrarë edhe veprën Aristidh Kolias.
Për të kuptuar qartë se çfarë përfaqeson vepra madhore “Arvanitët dhe prejardhja e elinëve” le të sjellim spjegimin e vetë autorit të kësaj vepre:
“ u përpoqa të faktoj, dhe më duket se e faktova, se historia greke që nuk merr parasysh arvanitët në epokën e re dhe pellazgët në atë të lashtë, as greke e as histori nuk quhet. Është thjeshtë një histori e sajuar.”
Prandaj nuk mund kurrsesi të kërkojmë tek Aristidh Kolia një njeri me ndjenja antigreke, siç duan ca ekstremistë shqiptarë, sepse kjo është jashtë çdo lloj llogjike, është një absurditet.
Ai nuk kishte urrejtje por kish dashuri. Dhe në këtë dashuri nuk bënte dallime në mes të grekëve e të shqiptarëve. Në esencë Aristidh Kolia ishte modeli i një njeriu europian, ashtu siç të gjithë ne, shqiptar e grekë, duhet të jemi nesër, se sot ende larg vazhdojmë jemi.
Aristidh Kolia ndryshe nuk mund të kuptohet, por veç si arvanitasi me fat tragjik në mes të dy dashurive të tij të mëdha, për dy popuj, dy shtete, që ende, si atavizëm historik, kishin në mes tyre një mal me urrejtje.
Si gjithë ekstremistët, të cilëve pasioni ua mund llogjikën, edhe artikullshkruesi
i gazetës “Sot” të Tiranës, Petrit Bidoshi, mesa duket, për këtë e urren në mënyrë të pakuptimtë studiuesin arvanitas. Mirëpo Bidoshi edhe pse në dukje shfaqet me slogane antigreke, do apo nuk do ai, bën lojën e megaloidhesë të qarqeve shoveniste te fqinjeve te jugut, te cilet ndryshe prej Aristidh Kolias, kërkojne armiqësi e jo dashuri e mirëkuptim në mes të dy popujve; e mundësisht kjo armiqësi të mos mbarojë kurrë, deri sa të pushtojnë, nëpër ëndërrime të marrëzishme e utopike Stambollin (Konstandinopolin) dhe Tiranën, megjithëse këtë të fundit ekonomikisht e kanë paralizuar.
Tek pi kafe pensionisti, tek lexon libra e gazeta diku në ndonjë prej kafeneve të përshumta të Tiranës, Bidoshi të mos e lejoj vehten të pushtohet nga idetë e zymta mbi Aristidh Kolian. Atje ku ka dritë (nuk është fjala për dritë elektrike por dritën e diturisë) nuk mund të trumbetohet se shihet errësirë, fjala është që të mos ngjasim me urithët, që kushdo e di se sa e urrejnë dritën me shkakun e thjeshtë se nuk kanë sy...
Bidoshi në titullin e shkrimit pyet veten " Si mund të hesht...?" e pergjigjen e ka brënda pyetjes së vet retorike, “Hesht kur nuk ke ç'të flasësh...” sepse njeriu bëhet qesharak kur fut në një thes zervat, kapsalliotët, gejxhët, sebastianët dhe....Aristidh Kolian. Pra agresorët me viktimën...
E për këtë inkoseguence të veten, të mos kerkojë të bëjë fajtor shkrimtarin e nderuar Ndriçim Kulla, që krahas disa botuesve të tjerë, përkujdeset që veprat e studiuesit martir të vinë në gjuhën shqipe, apo Atë Nikolla Markun e Kishës Autoqefale të Shën Marisë në Elbasan, i cili ka idenë e ndritur që një rruge të qytetit ti verë emrin e Arvanitasit të Madh.
Ose të paktën, meqë nuk rri dot pa folur, veçori e çdo pensionisti kafeneve të Tiranës, Bidoshi le të perpiqet ti pergjigjet me pak fjalë pyetjes:
- Kush e pse e vranë Aristidh Kolian?!

Boston 2007

1 comment:

Unknown said...

I NDERUAR TRABOINI. E LEXOVA SHKRIMIN TUAJ LIDHUR ME ATE BIDOSHIN PENSIONIST NE TIRANE DHE MESOVA SA I PREDISPOZUAR QENKA AI PLAK CAPKEN QE TE ERREOJE FIGUREN E ARISTIDH KOLJAS, RILINDESIT TE KOHEVE MODERRNE. JANE KETA BIDOSHER QE ENDE SHQIPERIA QENDRON NE HJIEN ME TE ERRET TE TE REALITETIT. AI BIDOSH-KODOSH, OSE ESHTE TURKOSHAK NGA MENDJA OSE ESHTE SHEJTAN BUDALLA, QE SI PADASHUR I VJEN NE NDIHME KALENDAVE GREKE, QE DHE MBASE KA NGENE BUKE ATY TEK ATA, QE KERKON T'U FATUROJE ARISTIDHIN E MADH. JU PERSHENDES KOLEC DHE JU UROJ JETE TE GJATE E SUKSESE NE MISIONIN TUAJ FISNIK E ATDHETAR.