Sunday, October 17, 2010

ARISTIDH KOLIA : “Rrënjët tona janë në Arbëri!”


ARISTIDH P. KOLIA
(1944-2000)

Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së studiuesit dhe veprimtarit të shquar arvanitas Aristidh P. Kolia, miqtë e admiruesit e veprës së tij, organizuan një mbledhje përkujtimore në sallën e Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Tiranë. Kishin ardhur jo vetëm ata që e kanë njohur nga afër këtë figurë që tashmë në sytë e shqiptarëve ka marrë përmasat e një heroi, por edhe lexues të shumtë të veprës së tij. Shumica e të pranishmëve ishin nga Tirana por kishin ardhur edhe nga qyteti i Shkodrës i njohur për traditat art e kulturëdashëse. Fjalën kryesore e mbajti gazetari dhe kineasti Kolec Traboini, i cili e ka njohur Aristidh Kolian nga afër në kohën kur nxirrte gazetën shqipe “Egnatia” në Athinë dhe ka botuar librin “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias”.


ARISTIDH KOLIA
“Rrënjët tona janë në Arbëri!”

Nga KOLEC TRABOINI

Kanë rënë këmbanat e ka ardhur ora për ata që duan të dëgjojnë e kuptojnë se, kultura e traditat, historia dhe gjuha nuk mund të kufizohen edhe më tej brënda kufinjëve të Shqipërisë, të cilin e sajuan të tjerët e jo ne, në vitin 1913. Duke u qorrollepsur e duke u sjellur si provincialë në këtë kopshtin tonë të vogël, ne e kemi humbur besimin prej arbërorëve që rrojnë pertej gardhit tonë. Sot arvanitët dhe arbëreshët e shohin me skepticizëm Shqipërinë dhe po i hedhin sytë nga Kosova me shpresë se ajo do të bëhet qendra arbërore e shqiptarëve të gjithë botës.
Këtë e ndjente dhe e thoshte jo pa pikëllim edhe i paharruari Aristidh Kolia, kjo figure e madhërishme e kulturës arbërore, por na thonë sot e kësaj dite, anipse ne bëjmë sikur nuk dëgjojmë, edhe veprimtarët e tjerë arvanitas e arbëresh si Jorgo Miha, Jorgo Jeru e At Antoni Bellusci.
A ka ky shtet shqiptar një Akademi të dëgjojë këmbanat, që të mos lërë në harrim kulturën tonë përtej kufinjëve, një kulturë e traditë, një histori plot lavdi, që është po me aq vlerë sa ajo brënda kufijve, në mos më shumë.
Veç bustit të De Radës si nuk u pa gjëkundi në këtë dhè një monument a bust për ata që dhanë aq shumë për kulturën arbërore jashtë kufijve të vitit 1913. Si nuk u panë të shfaqen në dy dekada grupet kulturore arvanite arbërore në këtë vend. Të mos flasim për shkrimtarë, piktorë e artistë që janë nderi e krenaria e fqinjit tonë të jugut. Pse ia sharrojmë vetes degët që kemi nën këmbë. Me fustanellën tonë krenohen fqinjët duke e quajtur pjesë të etnografisë së tyre kombëtare. Po ne si nuk morëm një kostum aq të mrekullueshëm të grave arvanite e të mburremi me të, sepse është vertetë pjesë e kulturës tonë të mrekullueshme arbërore. Pasi na zvogëluan gjeografikisht të tjerët, pse për fajin tonë, vazhdojmë të zvogëlohemi shpirtërisht.
E kryepseja: pse pra ne e kemi humbur shansin historik për t`u bërë qendra e mbarë botës arbërore-arvanite-shqiptare?
Parë në këtë sy, mund të them se diku përtej gardhit tonë, në Greqi, patëm fatin të njohim Aristidh Kolian, personalitetin më të madh arvanitas të shekullit XX dhe një nga njerëzit më të ndritur të kombit tonë. Akademikët tanë që flenë nëpër katedra duhet t`ia kenë zili atij, por jo zili për keq, sepse ai ishte e mbetet pjesë e kulturës sonë arbërore, por t`ia kenë zili për vullnetin e këmbënguljen, për sakrificën, sepse Aristidh Kolia në studimet e veprat e veta, vuri tërë dashurinë, tërë pasionin, tërë kohën, edhe jetën e vet duke punuar në kushtet e një terrori verbal e psikologjik.
Por mendoj se këtu vegjeton edhe një zili për keq, prej atyre që kanë veshur papuçet akademike të Obllomovit. Lënia jashtë vëmendjes, thuajse në harrim e kësaj figure, duke mjaftuar me emërtimin “Aristidh Kolia” një rrugicë të vogël në periferi të Tiranës, diku fshehur pas pallatit të Brigadave a fshatin Sauk, është vërtetë shprehje e qëndrimit tonë cinik ndaj kulturës arbërore, e mendësisë sonë të vetizolimit, për të mos thënë frikës se mos bash për këtë mbeten prishaqejf diplomatët e fqinjëve. Vështirë është ta pranojmë të vërteten, por pa e pranuar atë nuk ka as dhe një shans të vetëm të gjejmë një udhë të drejtë në këtë mishmash kombëtar, ku flitet veç për politikë, ku prodhohen veç konflikte e kultura konsiderohet si një handikap shoqëror i bezdisshëm.
Aristidh Kolia i madh kishte një mendësi krejt tjetër. Kultura, tradita, gjuha, prejardhja, historia ishin gjithçka në jetën e tij. Ai e shihte Shqipërinë me sytë e shpresës. Ai kishte udhëtuar katër herë në Shqipëri e një herë në Kosovë, por edhe në Kalabri e Siçili, gjithnjë me dëshirën e zjarrtë për ta thyer atë barrierë që na kishin vënë në mes nesh, në mes të njerëzve të një gjuhe dhe një gjaku. Ndaj është krejt e kuptueshme çiltërsia me të cilën e priti dyndjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi me mendimin, se kjo do të ishte një rast ideal për të krijuar lidhjet e mungura në mes të krahëve të shqiponjës.
Ai u afroi shqiptareve emigrantë një miqësi pa asnjë rezervë e pa asnjë kusht. Ai nuk përdori për ta asnjë herë fjalën emigrant. I quante me gjuhën e tij të bukur shqipo-arvanite “djemt”. Kush e di ç’bëjnë djemt. Kush e di ku janë djemt. I thërriste ashtu siç thërriste të birin e vet Panajotin. Me të njëjtën dashuri. Ishte një miqësi e dashuri që buronte prej gjakut të përbashkët që na rridhte në damarë e gufonte në zemrat tona arbërore. E më së shumti nuk ishim ne që e kërkonim atë, sepse edhe druheshim, por ishte ai që interesohej se çfarë ndodhte me emigrantët shqiptarë në Greqi. Që kur e takuam për herë të parë, ashtu do ta ruajmë në kujtesë, të gjallë e plot energji , të përzemërt , me fytyrë plot dritë e të qeshur, gjithmonë i mirë e bujar. Kush tjetër si ai!
E kjo ndodhte se ai kishte nje vizion te madh e nuk i shihte shqiptarët e Shqipërisë së vitit 1913 si njerëz të përtej sinoreve, por vëllezer gjaku, sepse e dinte se kufijt ishin krijuar nga të tjerët e jo nga shqiptarët, se pengesat i sjellin qeveritë e politika, por jo popujt.
Aristidh Kolia ishte si një diell që lind, kalon në zenit dhe perëndon, e gjatë gjithë udhës në qiell ndriçon për njerëzit. Kështu ndriçoi gjatë tërë jetës së tij miku ynë i madh e i paharruar që sot e kujtojmë me nostalgji. Veç perëndimi ishte tejet tragjik për diellin metaforik me emrin Aristidh Kolia. Ai kaloi nga Thiva ku lindi, përmes fshatrave arvanite të Atikisë, që i rrinë Athinës si kurorë, nga ishulli Salamina i Anastas Kulluriotit, kalonte nëpër malet e Moresë, tek Arbërshët e De Radës e Zef Serembes në Kalabri e Siqili të Italisë, ku zuri miq të mëdhej si At Antonio Bellusci me të cilin e lidhi një miqësi e jashtëzakoneshme.
Të dy dijetarë me mendje të ndritur, karakter të fortë e zemër guximtare. Njëri në lindje e tjetri në perëndim të Arbërisë sonë. Si dy zogj shqiponje,se bashku fluturuan lart por edhe larg deri në Strasburg, për t’i thënë Europës se Arvanitët, trashigimtarët e Kollokotronit, Marko Boçarit, Gjergj Karaiskaqit, Laskarina Bubulinës e plot heronjve të tjerë të Revolucionit Grek, ishin gjallë, anipse të harruar, pak prej vetes e shumë e më shumë prej të tjerëve. Ata kështu po i kthenin arvanitasve krenarinë e dinjitetin, lavdinë e një historie të mohuar.
E vërteta që mbronte Aristidh Kolia kaloi si hark drite edhe në qiellin e Shqipërisë dhe Kosovës e mbarë trojeve shqiptare në Ballkan.
Kush më shumë e më zjarrtë se ai i mbrojti shqiptarët e Kosovës kur edhe në revistën e tij “Arvanion” shkruhej me gërma të mëdha “Edhe unë jam kosovar!”.
Ai me guximin që tregoi shfaqi tiparet e trimave arvanit në histori që nuk e njihnin frikën. Ata ishin lindur në luftë dhe lufta i rriste e i trimëronte, siç thotë miku i tij, veprimtari tjetër arvantias Jorgo Miha. Vetëm pse mbronte shqiptarët e Kosovës në të drejtën e tyre për liri, u kërcënua publikisht në një emision televiziv nga një gazetare, sot deputete komuniste në parlamentin grek: “Ju akuzoj si agjent i të huajve…më e pakta i UÇK-së, ju akuzoj për agjenturë dhe propogandë të zezë, jeni armik i brendshëm.”
Për këtë ngjarje skandaloze në median greke, ndoshta e vetmja e këtij lloji në mbarë Europën, në një letër që Aristidh Kolia i dërgoi mikut të tij arvanitas, Taso Karandis, botuar post mortum në revistën “Ritmi i Salaminës”, shkruante.:
"Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën për baltën që hodhi mbi mua zonja Liana Kaneli gjatë emisionit televiziv në "Skaj" 5 Maj 1999, dhe më pyetën përse e përballova me qetësi, kur duhej të kundërsulmoja... Miqtë e mi, mos u mërzisni e mos u hidhëroni për këtë, sepse "e drejta del, vjen kur t`i vijë ora…". E kam dashur dhe e dua vendin tim, por dashuria ime nuk është me fjalë por me veprat e mia, të cilat do të kujtohen kur balta e zonjës…Kaneli të kalojë në harresën e shekullit. Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat . Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e përmjera dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditëshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë time..."
Dhe e pagoi. E pagoi pa ju dridhur qërpiku sepse kishte gjak arbëror e karakter arvanit të pamposhtur.Me të drejtë i vëllai i tij, Jorgo Kolia, thotë se me Aristidh Kolian ndodhi ajo që thuhet në një proverb biblik: “Kush ka guximin të thotë të vertetën, kryqëzohet”
U bë një dekadë që nga ajo ditë e zezë athinjote, ajo vdekje mizore, që na e rrëmbeu parakohe e krejt e papritur Aristidhin tonë. Po a thue përnjimend u shua ai diell arbëror? Kurrsesi , sa kohë që ia ndjejmë rrezet e ngrohta që burojnë prej veprave të tij. Se ja kështu ka ndodhur edhe me Anastas Kulluriotin e Jorgo Marugën, por ikën vetëm fizikisht. Asgjë tjetër nuk ka ikur veç trupit që ju kthye dheut të krijimit.
Nuk mund t`i vihen pranga dritës. As ideve dhe frymës se tij që ndjejmë në çdo libër e në çdo fjalë. Veprat e mendimet e tij na shoqërojnë. Sot më tepër se dje, nesër me tepër se sot, kështu në vazhdimësi, sa kohë që bijtë e shqipes arbërore, shqiptarët, arbëreshët, arvanitët rrojnë e do të rrojnë mbi dhè.
Aristidh Kola ishte një mendje e ndritur që e kuptonte se në këtë botë kish jetë por kishte edhe vdekje, por dinte akoma më mirë se vdekja mund të mundej me vepra të mëdha për njerëzit. Ai e dinte mirëfilli se ka një mënyrë për të rrojtur edhe pas vdekjes, çfarë në të vërtetë e mrekullisht ndodh. Se ja, tani për Aristidhin tonë dinë e flasin më shumë njerëz. Ani pse gazetat shqiptare në Tiranë e Prishtinë fare pak shkruajnë, se janë peng e robër të politikës dhe interesave konjukturale, por falë komunikimit të shpejtë e masiv elektronik, për Aristidh Kolian sot flasin e shkruajnë me admirim në të katër anët e globit, nga Europa në Amerikë, Kanada dhe Australi, kudo ku ka shqiptarë.
Vepra e tij madhore “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” veç 12 botimeve në Greqi, është botuar e ribotuar edhe në Shqipëri, por, edhe vepra te tjera si “Gjuha e Perendive” tashmë i kanë në dorë shqiptarët në arbërishtën tonë të lashtë e të bukur.
Disa njerëzve vdekja iu shërben për t`u bërë edhe më të gjallë se të gjallët. Kur trupi ikën, shpirti vjen më pranë njerëzve. Ringjallje sipas shëmbëllesës Ungjillore. Ndaj gjithmonë do të themi se Aristidh Kolian e kemi gjallë midis nesh. Ai zjarr dashurie e krenarie që ndezi në mes të arvaniteve si të ishte një Promete, kurrë nuk mund të shuhet.
Le ta mbyllim me fjalët që aq shumë i kish për zemër i pavdekshmi Aristidh Kolia: “Rrënjët tona janë në Arbëri!”
E këto fjalë, që të kujtojnë edhe të madhin De Rada që i mbylli sytë duke parë detin, duhet t`i kenë në mendje e në zemër arvanitasit edhe arbëreshët, por duke ditur rrethanat e mundësitë, le t`i ndihmojmë edhe ne sado pak, që të mos i harrojnë, që njerëzit që kanë guximin të thonë të vertetën edhe me tej të mos kryqëzohen, që errësira të mposhtet përballë dritës e shpirti i Arbërit të rrojë përgjithmonë!

11 tetor 2010

No comments: