Thursday, October 14, 2010

10 VJET PA ARVANITASIN E MADH ARISTIDH KOLIA

ARISTIDH P.KOLIA
1944-2000

Salla e Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve ku u zhvillua Përkujtimorja e
10-vjetorit të vdekjes së arvanitasit të madh Aristidh Kolia (1944-2000).


10 VJET PA ARVANITASIN E MADH ARISTIDH KOLIA

Me nisiativën e grupimit “Miqtë e Aristidh Kolias” e nën indiferencën totale të shtypit, medias vizive dhe institucioneve kulturore e studimore, çfarë të kujton një përkujtim ilegal me një heshtje enigmatike krejt ngjashëm si 5 vjet më parë. Vërtetë shtrohet pyetja pse veprohet kështu në Shqipëri me arvanitasin më të madh të shekullit të XX?

Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së studiuesit dhe veprimtarit të shquar arvanitas Aristidh P. Kolia, miqtë e admiruesit e veprës së tij, organizuan një mbledhje përkujtimore në sallën e Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Tiranë. Kishin ardhur jo vetëm ata që e kanë njohur nga afër këtë figurë që tashmë në sytë e shqiptarëve ka marrë përmasat e një heroi, por edhe lexues të shumtë të veprës së tij. Shumica e të pranishmëve ishin nga Tirana por kishin ardhur edhe nga qyteti i Shkodrës i njohur për traditat art e kulturëdashëse. Fjalën kryesore e mbajti gazetari dhe kineasti Kolec Traboini, i cili e ka njohur Aristidh Kolian nga afër në kohën kur nxirrte gazetën shqipe “Egnatia” në Athinë dhe ka botuar librin “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias”. Titulli referimit ishte "Aristidh Kolia - Rrënjët tona janë në Arbëri!" në të cilën krahas vlerësimit të figurës së arvanitasit të madh u theksua se ka një ftohje institucionale në lidhjet me arvanitasit e Greqisë dhe arbëreshët e Italisë. Edhe ato pak lidhje që ishin vendosur në periudhën e vështirë të vetizolimit të Shqipërisë nën diktaturë, thuajse janë këputur. Nuk gjen asnjë veprimtari arvanite arbërore në Shqipëri ndërkohë që instucionet shpenzojnë edhe për koncerte mediokre pa asnjë vlerë, apo veprimtari të pafrytëshme. Traboini theksoi se shqetësimi i arvanitëve e arbëreshëve për këtë ftohje institucionale të Shqipërisë ndaj tyre, tregon se Shqipëria anipse tashmë ndodhet në rrethanat e mundësive të mëdha, të hapjes, lirisë së lëvizjes dhe këmbimeve kulturore, e ka humbur shansin historik për të qënë qëndra e arbërorëve të gjithë botës ndaj sytë e shpresen i kanë hedhur nga Kosova sepse ajo ka më shumë ndjesi në këtë sens. Edhe ky organizim, nën indiferencen totale të Akademisë dhe Institutit të studimeve Albanologjike,që edhe pse të ftuar nuk erdhën, por edhe mediave në këtë 10 vjetor të vdekjes së studiuesit e veprimtarit Aristidh Kolias, tregon shumçka.
Të pranishmit e pritën me duartrokitje përshëndetjen e posaçme për këtë rast të veprimtarit dhe studiuesit arbëresh, një nga miqtë më të afërt të Aristidh Kolias, Antonio Bellusci, veçmas fjalët e tij se Aristidh Kolia është heroi arbëror i pavdekshëm që kurrë nuk do të harrohet nga arbanitët, arbëreshët e shqiptarët kudo që do të ndodhen. Po kështu u lexua edhe përshendetja që kishte dërguar për këtë rast përkujtimor Bajram Osmani nga Gjermania.
Studiuesi Arben Llalla që kishte ardhur posaçërisht për këtë eviniment nga Tetova, autor i librit “Aristidh Kolia dhe shtypi shqiptar”, solli kujtimet nga takimet e tij në kohën kur jetonte si emigrant në Greqi, dhe tregoi për ndihmën që Aristidh Kolia i dha, që ai të ndiqte udhën e studiuesit të historisë së arvanitasve.Ai foli për rëndësinë e hulumtimit të dokumentave historike, arkivimit dhe ruajtjes së tyre. Tregoi se shumë prej dokumentave historike dhe librave të vjetër i kishte dhuratë nga Aristidh Kolia, duke shpalosur kështu një tjetër cilësi të arvanitasit të madh. Emocion ngjalli fjala e artistes së njohur të teatrit dhe filmit Margarita Xhepa. Ajo solli kujtimet e takimit me Aristidh Kolian, pastaj artistja recitoi një poezi nga botimi special i revistës “Obelisk kushtuar Aristidh Kolias.
Nga Athina kishte ardhur Angjelina Xhara, ish skenariste filmi dokumetar dhe spikere TV, e cila në fjalën e saj solli kujtimet e disa takimeve me Aristidh Kolian.
Enver Kushi, punonjës i Muzeut Historik Kombëtar, i solli mbresat e tij në titullimin “Faleminderit Aristidh Kolia”. Ai theksoi se Aristidh Kolia kishte një vision të ndritur në marrdhëniet në mes të popujve, ai dilte mbi meritë e ndasitë të mbetura si atavizma historike e dilte me konkluzionin se popujt duhet të gjejnë tek njëri tjetrin vëllain e jo ti futin thikën. Ai solli edhe një kujtim mbi vlerësimin që i bënte Aristidh Kolia si studiues valles së çamëve që e quante simbolin më të mrekullueshëm të trimërisë, harmonizuar kjo me virtuozitetin në ekzekutim, sa ta do mendja se aq mrekullueshëm nuk gjëndet e shprehet në asnjë valle tjetër në botë.
Gazetari Albert Zholi që e ka njohur Aristidh Kolian në vitin 1993 solli në kujtimet e veta ato mardhëniet të ngrohta që kishte Aristidh Kolia me shkrimtarët dhe artistët. Në vitin 1997 kishin bashkpunuar për të sjellur për vizitë në Athinë Dritero Agollin e krijues të tjerë nga Shqipëria. Atë kohë u organizua dhe një takim me shkrimtarët grekë të cilët mbetën të habitur nga prezantimi dinjitoz i shkrimtarit shqiptar, sepse kishin përshtypjen se në Shqipëri nuk kishte shkrimtar tjetër potencial veç Kadaresë. të gjitha ata e ftuan Agollin në shtëpitë e tyre por poeti shqiptar preferoi ftesen e Aristidh Kolias sepse atje do ta ndjente veten si në shtëpinë e tij. Dhe kështu u bë. Një mbrëmjë e paharruar me kuvendime në gjuhën arbërore. Gjithashtu Zholi tregoi se si e kishte ndihmuar Aristidh Kolia për botimin e librit të tij “Ikja e madhe” në shtëpinë e tij botuese “Thamiris”. I kishte vënë këtë emër nga fjala e gjuhës shqipe tha mirë. Arberishtën e kishte në zemër dhe e shfaqte dashurinë e tij për gjuhën arvanite-shqipe jo vetëm në studimet por edhe aspektet e tjera të jetës. Po ashtu edhe ne krijimin e shoqatës “Vëllazërimi” u ndje ndihma e pazëvendësueshme e Aristidh Kolias që ju gjënd emigrantëve shqiptarë jo vetëm me shkrime në revistën “Arvanon” , e ne media por edhe dha ndihma konkrete.
Zaçe Islami i cili ka qënë bashkë me Aristidh Kolian në emisione të drejt për drejta televizive greke solli kujtimet e tij se si e përballonte me dinjitet arvanitasi i madh insinuatat që bëheshin në drejtim të tij, sepse ai njihej si ndër të paktët në Greqi që mbronte popullin shqiptar të Kosovës në luftën e tij të drejtë për liri. Shkrimtari Vasil Premçi duke bërë një kritikë të rreptë për institucionet qe pikërisht për të tilla veprimtari janë destinuar por ato u shmangen pa patur as dinjitetin të spjegohen për këtë denigrim që u bëjnë vlerave me permasa mbarë kombëtare.
Prof. Gëzim M. Uruçi Euroetnolog, ekspert i artit prehistorik, që kishte ardhur bashkë me një grup shkodranësh, biologun e njohur Mr. Ahmet O. Osja, Dr.Naim Laçej studiues, analistin Arben Çokaj, mjekun Dashamir Çokaj, shtroi me të madhe pyetjen “Ku është Akademia?!” Vepra voluminoze e Aristidh Kolias që ngre lart dinjitetin e një populli të harruar me qellim të mirëfilltë për ti prerë rrënjët arbërore,duhej jo të harrohej bashke me popullin arvanit, por të ishte një pikë referimi për studime nga Instituti Albanalogjik.
Adriano Xhafaj tregoi për punën që bëhet me median internetike për popullarizimin e veprës së Aristidh Kolias dhe arvanitëve të tjerë të shquar si Vangjel Liapi, si dhe pengesat sepse bëhet një luftë e egër për ti topitur arvanitasit, për të krijuar një hendek në mes të tyre e shqiptareve, madje duke propoganduar marrëzira sikur arvanitët, gjuha e kultura e tyre nuk kanë asnjë lidhje me shqiptarët. Pa një ndihmë serioze e angazhim të shtetit shqiptar nuk mund të ketë zgjidhje të çeshtjes arvanite.
Fatmiroshe Xhemalaj-Shehaj,me profesion mësuese, theksoi nevojën e bërjes së njohur të veprës së arvanitasit të madh.Të njëjtin problem për popullazimin e veprës së Aristidh Kolia shtron edhe Skënder Shala në një letër që dërgoi me këtë rast nga Zvicra. Lexoni veprat e studjusit dhe historianit Jakob Philip Galmereier, autor i shkencave të Bavarisë, studius i bizanit dhe publiçist (1790-1861), i cili kishtë shetitur Greqinë, Turqinë, Maqedonin, dhe kishtë njohur mirë edhe arbrëshët dhe krejt popullatën e gadishullit Ilirik. Ky shkenctar i kohës shkruan për grekët, citojmë: “grekët nuk kanë asgjë të përbashkët me grekët antik, as edhe një pik gjaku nuk kanë, as gjurmë të vazhdimsisë të trashëguar nga kultura antike.”. Ky popull është një përzierje shqiptarë, slavë, turq e tjerë. Ky shkenctar ka shkruar edhe dy vepra për shqiptarët: “Historia e gadishullit të Moresë gjatë mesjetës, Münhen 1830-1836”. dhe “Elementi shqiptar në Greqi, 1857- 1861.”
Riza Lahi, i cili vuri në dukje se kjo punë ka mbetur vetëm në nisiativa personale të njerëzve që e kanë njohur nga afër por ne kemi një shtet( në fakt dy shtete shqiptare), kemi instucione, rrogtarë që paguhen bash për këtë punë, ndaj kjo shurdhëri budallaqe është e pakuptimtë, madje e turpshme. Akademia e Shkencave, Instituti Albanologjisë, ata të Historisë e Gjuhësisë ishin ftuar por perveç Nasho Jorgaqit dhe Klara Kodrës që kishin ardhur privatisht nuk dallohej ndonjë përfaqësues të institucioneve.
Botusi i revistës “Obelisk” Roland Lushi shpërndau me këtë rast numërin special kushtuar Aristidh Kolias.
Si konkluzion i këtij evenimenti, që mbeti krejtësisht jashtë vemëndjes akademike e mediave, vetëm në kufizimin e miqëve dhe lexuesve të veprës së Aristidh Kolias, mund të themi se ky ishte rasti më i mirë për të parë se çfarë në të vërtetë janë institucionet tona studimore e kulturore. Nga institucionet e ftuara u gjenden vetëm përfaqësues i Muzeut Kombëtar Enver Kushi dhe gazetarja e Radio Tiranës Valdete Antoni, studiuesi Koço Danaj, të tjerët as që u kujtuan. Ministria e Kulturës dha sallën dhe video projeksioni,për të cilën e falendërojmë, por asnjë titullar apo drejtor drejtorie që duhej të ishte në podiumin e nderit nuk u shfaq. Me të drejtë në mbyllje Traboini, nisiator i kësaj përkujtimore tha se Tirana por edhe e gjithë Shqipëria i ngjan një ngrehine me çati por pa mure anësore ku fryjnë të hazdisura erërat e ekspansionit grek. Nën indiferencen totale të shtetit Serbia krijon një minoritet fiktiv në jug të Shqipërisë ndersa ne i lëmë në harrim miliona arvanitas por edhe popullsi çame të përsekutuar, për të cilat Aristidh Kolia, ky vigan, kishte kurajon të deklaronte pa ju dridhur qërpiku se arvanitët janë shumicë e jo pakicë në Greqi. Por mënyra se si shfaqet kjo indiferencë totale, më shumë qellimkeqe se qorre, e frikëshme për këtë vend e për këtë popull, per median e shtypit dhe TV kemi këtë pyetje: Ku është Televizioni Shtetror që mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, të cilët janë të interesuar për veprimtari të tilla mbarëkombëtare përtej lokalizmit të ngushtë e qorrsokaqeve politike. Këto media vizive pasqyrojnë aktivitete nga më të ndryshme, madje i lënë hapsirë edhe ndonjë autori mburravec pa kurrfarë vlere, atëherë çfarë është kjo masakër mediatike ndaj arvanitasit më të madh të shekullit XX?
E mbyllim përkujtimoren e miqëve e admiruesve të veprës së Aristidh Kolia me këtë pikëpyetje të madhe anipse e dimë se nuk do të marrim asnjë pergjigje nga dishepujt e Greqisë,- tha në mbyllje të këtij përkujtimi, Traboini, sepse- theksoi ai-, kështu e kanë direktiven nga Athina, që ashtu siç u shua jeta e tij të shuhet në heshtje edhe vepra e Aristidh Kolias, por megjithë përpjekjet e tyre marroqe për të mbuluar të vërtetat përvëluese të ndalimit e mohimit popullit arvanit dhe çam, kjo kjo kurrë nuk do të ndodh. Pas nesh do ta marrin këtë stafetë të tjerët e vepra e arvanitasit të madh do të ndriçojë përgjithmonë.

Nga grupi "Miqtë e Aristidh Kolias"
Tiranë 11 Tetor 2010

Kineasti dhe gazetari Kolec Traboini mbajti fjalën e rastit
"Aristidh Kolia-Rrënjët tona janë në Arbëri.



Prof. Gëzim Uruçi Euroetnolog, ekspert i artit prehistorik


Kineastja Angjelina Xhara

Enver Kushi punonjës i Muzeut Historik Kombëtar

Artistja e teatrit dhe filmit Margarita Xhepa

Fatmiroshe Xhemalaj-Shehaj
Nasho Jorgaqi, Kujtim Dashi,Pandeli Koçi

Zaçe Islami

Adriano Xhafaj

Riza Lahi

Vasil Premçi

No comments: